SPIKA

Kushtet e Përdorimit

Përditësuar më 4 korrik 2026

Këto kushte rregullojnë përdorimin e aplikacionit Spika (iOS dhe Android) dhe të faqes getspika.app, të operuara nga Albi Zeqiri, me adresë në Elbasan, Shqipëri („ne"). Duke i pranuar në hyrje të aplikacionit ose duke e përdorur Spika-n, i pranon këto kushte dhe Politikën e Privatësisë. Nëse nuk i pranon, mos e përdor Spika-n.

1. Çfarë është Spika

Spika është një aplikacion ku përdoruesit shkruajnë — anonimisht ose me pseudonim — se ku panë dikë që u la përshtypje, dhe posti shfaqet si pikë në hartë. Përmbajtja krijohet nga vetë përdoruesit; Spika ofron platformën, jo përmbajtjen.

2. Mosha: vetëm 16+

Spika përdoret vetëm nga persona 16 vjeç e lart. Duke e përdorur, deklaron se e ke mbushur këtë moshë dhe se të dhënat që jep në hyrje janë të vërteta. Llogaritë dhe përmbajtja e personave nën 16 hiqen sapo t'i identifikojmë.

3. Llogaria dhe identiteti

Spika përdoret edhe pa llogari; llogaria (me Google ose Apple) hap chat-in privat, kërkesat „Isha unë 🙋" dhe pseudonimin publik.

4. Anonimiteti nuk është imunitet

Zgjedhja „Anonim" të fsheh nga publiku, jo nga rregullat. Përmbajtja anonime mbetet e lidhur teknikisht me llogarinë ose pajisjen tënde në sistemet tona dhe masat për shkelje (heqje përmbajtjeje, kufizime, ndalime) zbatohen njësoj — përfshirë rastet kur ligji na detyron të bashkëpunojmë me autoritetet.

5. Rregullat e përmbajtjes

Spika është për fjalë të mira — jo për thashetheme. Nuk lejohet të postosh, komentosh a dërgosh:

  1. Të dhëna që identifikojnë të tjerët: emër e mbiemër i një personi tjetër, numër telefoni, targë, adresë banimi, emër përdoruesi i rrjeteve sociale të dikujt tjetër, apo çdo detaj tjetër që e bën dikë lehtësisht të identifikueshëm pa dëshirën e tij.
  2. Fyerje e dhunë: sharje të rënda, gjuhë urrejtjeje, kërcënime, ngacmime, komente për trupin e dikujt.
  3. Përmbajtje seksuale eksplicite — dhe absolutisht asgjë romantike a seksuale që përfshin persona nën 16 vjeç.
  4. Thashetheme e akuza: pretendime për krime, informacione dëmtuese të paverifikuara, bullizëm.
  5. Spam e reklama: linke, promovime, përmbajtje të përsëritur a të automatizuar.
  6. Gjurmim: përdorimin e hartës për të ndjekur, gjetur a mbikëqyrur një person kundër vullnetit të tij.

6. Moderimi dhe masat

Çdo post e koment kontrollohet automatikisht para publikimit (filtër i brendshëm + vlerësim me inteligjencë artificiale) dhe komuniteti ka raportim me një prekje te çdo përmbajtje; përmbajtja e raportuar shumë herë fshihet automatikisht në pritje të shqyrtimit njerëzor. Për shkeljet zbatojmë, sipas rëndësisë: heqje përmbajtjeje, kufizim funksionesh, ndalim të llogarisë dhe/ose të pajisjes. Asnjë sistem nuk kap gjithçka — nëse sheh diçka që shkel rregullat, raportoje. Nëse mendon se një masë ndaj teje është e padrejtë, na shkruaj te kontakt@getspika.app dhe e rishikojmë.

7. Përmbajtja jote dhe licenca

Përmbajtja që krijon mbetet e jotja. Duke e publikuar në Spika, na jep një licencë jo-ekskluzive, pa pagesë dhe të vlefshme kudo për ta ruajtur, shfaqur dhe shpërndarë brenda shërbimit — përfshirë në formë të anonimizuar nëse fshin llogarinë (postet shkëputen përfundimisht nga ti dhe mbeten si „Anonim"). Kjo licencë ekziston vetëm që Spika të funksionojë; nuk ta shesim përmbajtjen askujt. Ne mund të heqim çdo përmbajtje që shkel këto kushte.

8. Chat-i privat

Chat-i hapet vetëm kur autori i postit e pranon kërkesën. Bisedat private nuk paramoderohen, por rregullat e pikës 5 vlejnë edhe aty — raporto dhe blloko i ke brenda çdo bisede. Trego kujdes me të dhënat personale që ndan: Spika nuk i verifikon identitetet e përdoruesve. Nëse vendos të takohesh me dikë që njohe këtu, trego të njëjtin kujdes si me çdo të panjohur — përgjegjësia për takimet është e jotja.

9. Përdorime të ndaluara të shërbimit

Nuk lejohet: mbledhja e automatizuar e të dhënave (scraping), krijimi masiv i llogarive a postimeve, anashkalimi i kufijve të postimit apo i ndalimeve, ndërhyrja në funksionimin e shërbimit, dhe zbërthimi i kodit (reverse engineering) përtej asaj që lejon ligji në mënyrë të detyrueshme.

10. Blerjet brenda aplikacionit

Spika mund të ofrojë veçori opsionale me pagesë (p.sh. theksimin e përkohshëm të një posti — „boost"). Blerjet përpunohen nga Apple ose Google sipas kushteve të tyre; çmimi të shfaqet gjithmonë para blerjes dhe rimbursimet ndjekin politikat e store-it përkatës. Veçoritë me pagesë nuk e anashkalojnë asnjë rregull të këtyre kushteve. Përmbajtja e sponsorizuar nga bizneset, kur ekziston, shënohet qartë si e tillë.

11. Prona intelektuale

Emri Spika, logoja, dizajni dhe vetë aplikacioni janë pronë e jona. Këto kushte nuk të japin asnjë të drejtë mbi to përtej përdorimit normal të shërbimit.

12. Pa garanci dhe kufizimi i përgjegjësisë

Spika ofrohet „siç është", pa garanci se do të jetë gjithmonë i disponueshëm, pa gabime a i përshtatshëm për një qëllim të caktuar. Përmbajtja krijohet nga përdoruesit dhe ne nuk garantojmë vërtetësinë e saj. Në masën maksimale që e lejon ligji, nuk mbajmë përgjegjësi për dëme të tërthorta që rrjedhin nga përdorimi i shërbimit, nga përmbajtja e përdoruesve të tjerë apo nga ndërveprimet mes përdoruesish. Asgjë në këto kushte nuk kufizon përgjegjësi që ligji nuk lejon të kufizohen.

13. Ndërprerja

Mund të pushosh së përdoruri Spika-n kur të duash dhe ta fshish llogarinë nga aplikacioni ose sipas udhëzimeve te getspika.app/fshi-llogarine. Ne mund të pezullojmë a ndalojmë aksesin tënd nëse shkel këto kushte, me njoftim kur është e mundur — ose menjëherë kur shkelja është e rëndë a e përsëritur.

14. Ndryshimet e kushteve

Për ndryshime thelbësore të njoftojmë brenda aplikacionit para se të hyjnë në fuqi. Vazhdimi i përdorimit pas hyrjes në fuqi do të thotë se i pranon kushtet e reja; nëse jo, ndalo përdorimin dhe fshi llogarinë.

15. Ligji i zbatueshëm

Këto kushte rregullohen nga ligjet e Republikës së Shqipërisë. Mosmarrëveshjet që nuk zgjidhen me mirëkuptim i zgjidhin gjykatat kompetente në Tiranë. Nëse një dispozitë e këtyre kushteve rezulton e pavlefshme, të tjerat mbeten në fuqi.

16. Kontakt

kontakt@getspika.app — për pyetje, ankimime moderimi, raportime a çdo gjë tjetër rreth Spika-s.